
Luftëtari edhe matematikisht ka rënë nga Kategoria Superiore, ndërsa katër nga futbollistët e saj të rinj kanë marrë ftesë nga Kombëtarja shqiptare për zborin përgatitor që do të zhvillohet nga 6-8 korrik në kryeqytet. Redon Dragoshi, Enes Isufi, Aldrit Oshafi dhe Arbër Mehmetllari janë emrat e talenteve të klubit gjirokastrit, që nën drejtimin e Neritan Novit kanë treguar cilësitë e tyre.
Ftesa për lojtarët 20 vjeçarë ka mbërritur në zyrat e klubit, ndërsa tani pritet që bluzinjtë të japin leje për stërvitjet që do të zhvillohen në "Selman Stërmasi" dhe "Air Albania" nga përfaqësues dhe trajnerë të Kombëtares. Si pjesë kyçe e formacionit, dy mbrojtësit dhe 2 sulmuesit e rinj janë pikasur për cilësitë e tyre, duke merituar ftesën për t'u vëzhguar nga pranë prej Kombëtares A të Shqipërisë.