
Skënderbeu është hedhur në sulm për të marrë brazilianin Danilo Alvesh.
Sulmuesi i Flamurtarit është kthyer në fiksimin e korçarëve dhe pritet që të nisin bisedimet mes presidentit të vlonjatëve, Sinan Idrizi dhe atij të Skënderbeut, Ardjan Takaj.
Por, shifra që Idrizi i ka caktuar sulmuesit është shumë e lartë. Në verën e këtij viti, kur Danilo Alvesh u "arratis" nga Vlora, numri 1 i klubit të Flamurtarit e tha qartë: "Nuk ka ku të luajë tjetër përveç se te Flamurtari. Ka kontratë me ne. Çdo skuadër që kërkon të marrë Alvesh, duhet të paguajë 500 mijë euro".
Pikërisht pas këtij ultimatumi, sulmuesi brazilian u kthye te Flamurtari, ndërsa shifra që Idrizi kërkon për Alvesh nuk ka ndryshuar: Skënderbeu duhet të bëjë gati 500 mijë euro, nëse do sulmuesin e vlonjatëve.