
Mbushja e shkallëve të stadiumit është një çështje që lë për të dëshiruar në futbollin shqiptar. Tribunat janë thuajse të boshatisura në shumë prej ndeshjeve. Zakonisht, ndeshjet me një numër tifozësh mbi 2-3 mijë janë kur Tirana, Partizani e Vllaznia luajnë në shtëpitë e tyre, për të mos folur më pas për transfertat.
Megjithatë, tifoskena shqiptare ka rekordet dhe momentet e saj kulminante. Sa i përket transfertave, ‘flamurin’ e mbajnë lart rregullisht vetëm ultrasit e Tiranës dhe Partizanit që herë me dhjetra, herë me qindra, i ndodhen pranë ekipeve të zemrës.
Duke përjashtuar derbin ku s’mund të quhet transfertë, vendi ku mbahet rekord për numër tifozësh miq është Korça. Në stadiumin ‘Skënderbeu’ janë përjetura emocione të paharrueshme që kanë lënë shenjë në futbollin shqiptar.
Rekordin absolut për numër tifozësh në transfertë në Korçë e mban Partizani në vitin 2015, atëherë kur ‘Ultras Guerrils’ së bashku me tifozë të thjeshtë mbushën çdo cep të sektorit mik. Plot 20 autobusë e dhjetra makina të mbushur me ‘të kuq’ u nisën nga kryeqyteti drejt juglindjes. Ajo ndeshje përfundoi me fitoren 5-2 të Skënderbeut të artë, por historia u shkruajt në tribuna.

Një tjetër transfertë gjigante është ajo e ultrasve të Tiranës 1 vit përpara kësaj të fundit. Fanaticsat, në vitin 2014 do të bënin një nga transfertat më të mëdha të historisë së tyre dhe futbollit shqiptar. Drejt Korçës u nisën 11 autobusa të mëdhenj të shoqëruar përreth me dhjetra makina private.

Mes transfertave të tjera të mëdha në Korçë është edhe ajo e ‘Tigrave Verdheblu’, të cilët në vitin 2005 mbushën sektorin mik. Ajo periudhë mbahet mend si epoka më e mirë e klubit të Elbasanit ku fituan edhe titullin e dytë kampion.
Sa i përket transfertave në tërësi, vlen të theksohet edhe tifozëria shkodrane që në vitet 1997-2005 zhvillonin udhëtime masive me mijëra tifozë drejt kryeqytetit.




