Java e 34-t e Superligës që u luajt ditën e djeshme mund të konsiderohet si e “errët” për gjyqtarët.
Katër nga pesë sfidat e zhvilluara dje kanë pasur për protagonist kryesorë, arbitrat, të cilët kanë vendosur në një farë mënyre në rezultatin final të këtyre përballjeve.
Në takimin Flamurtari-Partizani 1-1, gjykoi Blerim Ziri, i cili nuk akordoi një penallti për të kuqtë në momentin kur Ekuban tërhiqet nga fanella në zonën vlonjate.
Në sfidën Luftëtari-Teuta 1-1, mund të thuhet se “golat i bëri gjyqtari Laver Alla”. Arbitri nga qytetit i Lushnjes akordoi një penallti të paqenë për Luftëtarin, ndërsa lejoi golin e shënuar nga Teuta, i cili duhej anuluar pasi Bangal preku topin me dorë duke e dërguar atë në rrjetë.
Në përballjen Skënderbeu-Tirana 1-0, gjyqtari Eldorian Hamiti akordoi një penallti të dyshimtë për korçarët, ndërsa nuk dha një penallti “sade” për bardheblutë, në momentin kur Radas preku topin me dorë në zonë.
Edhe në takimin Korabi-Kukësi 1-3, i cili u gjykua nga Indrit Myrtja, penalltia e akorduar në favor të verilindorëve ishte inekzistente, pasi mbrojtësit të Korabit iu përplas topi në shpinë dhe jo në dorë.
