Humbi pak ditë më parë gjyqin kundër Partizanit në Dhomën e Zgjidhjes së konflikteve pranë FSHF-së, por kjo nuk e ka ndalur mbrojtësin Arbnor Fejzullahu që të bashkohet me Skënderbeun në përgatitoren e Austrisë. Lojtari në fjalë është fotografuar sot në stërvitjen e korçarëve në Tirol të Austrisë.
[caption id="attachment_12336" align="alignleft" width="222"] Foto e shkrepur në stërvitjen e Skënderbeut në Austri[/caption]
Ky është një tjetër skandal për Partizanin, sepse pak ditë më parë ata deklaruan se Xhevahir Sukaj do të qëndronte me "demat" këtë sezon, por ky i fundit firmosi në Malajzi. Ndërkohë që pretenduan se do të mbanin dhe Agustin Torassa-n, por edhe ky lojtar tashmë ka deklaruar se do të largohet. Rasti i Fejzullahut është i treti brenda pak ditësh te Partizani, çka do të thotë se në këtë klub diçka nuk po shkon mirë.
Sa i përket gjyqit, futbollisti pretendon se firma e tij në kontratë është falsifikuar nga drejtuesit e klubit, ndaj nuk dëshiron që të qëndrojë. Ai do të apelojë vendimin e DHZK-së dhe nëse nuk gjen zgjidhje në Shqipëri, atëherë ai ka pohuar se do t'i drejtohet CAS-it për këtë çështje.