
Hysen Memolla u afrua si një goditje e bujshme e Egnatias në merkaton e janarit të shkuar. Ish-mbrojtësi i Kombëtares erdhi në Shqipëri për të luajtur për ekipin e qytetit të tij. Në gjysmën e dytë të atij sezoni, 31-vjeçari ishte një titullar absolut në 16 ndeshjet e fundit duke u kthyer jo vetëm në një lojtar cilësor, por edhe në një lider e idhull në Rrogozhinë.
Forma e mirë vijoi edhe në Europë me 2 paraqitjet ndaj Ararat-Armenia, por me fillimin e këtij sezoni situata u kthye përmbs. Memolla nuk është më një zgjedhje e parë në skuadër, kjo edhe falë paraqitjeve fantastike të Ndrecës në krahun e majtë, si dhe Xhemajlit në qendër duke mos i lënë shumë hapsira.
Vetëm 8 paraqitje këtë sezon, të përkthyera në 373 minuta në fushën e lojës. Shumë pak për një lojtar si ai. As në Kupën e Shqipërisë nuk arriti të gjejë hapsirë teksa hyri në fushën e lojës në minutën e 84’ ndaj Lushnjes duke zëvëndësuar Ndrecën.
Lojtari gëzon shëndet të plotë, nuk ka dëmtime dhe deri tani ka refuzuar 2 oferta për t’i qëndruar besnik Egnatias. Në verë bllokoi një kalim në Turqi, ndërsa në janar refuzoi ofertën e Tefik Osmanit për ta marrë te Vllaznia.
Hierarkia në skuadër sigurisht varet nga forma e lojtarëve dhe meritokracia, por një ekip si Egnatia që luan për trofe në çdo front sigurisht kërkon alternativa cilësore nga stoli. Memolla në stol është një ‘luks i tepruar’ e megjithatë, përsëri nuk po gjen minuta.