
Kukësi është fuqizuar ndjeshëm së fundi me marrjen hua për ndeshjet europiane të Sabjen Lilajt dhe Liridon Latifit. Po si do të luajë Kukësi në ndeshjet me Austrinë e Vjenës, pas ardhjes së këtyre titullarëve të ekipit kampion? Zgjedhjet i takojnë trajnerit Hasan Lika, por disa gjëra janë të qarta.
Patjetër që të dy të huazuarit do të jenë titullarë dhe më të rrezikuarit për uljen në stol janë Karioka dhe Dvornekoviç. Mbetet për t'u parë në cilin krah të mesfushës do të preferohet Latifi, në të majtë apo në të djathtë.
Nëse kosovari luan në të djathtë, ai që rrezikon stolin është Dvornekoviç, ose mund të kemi një spostim të këtij të fundit në sulm, përkrah Eminit, por e vështirë të ndodhë kjo, sepse Rangel duket në formë. Nëse Latifi luan në të majtë, rrezikon një nga mesfushorët e qendrës.
Lilaj, me shumë mundësi, do të përbëjë dyshen e qendrës së mesfushës me Musollin, kështu që në stol mbetet braziliani Karioka. Për këtë të fundit mund të ketë vend, nëse trajneri Lika vendos të luajë me një sulmues dhe me 5 mesfushorë, pasi mbrojtja nuk ndryshon nga rreshtimi me 4, aq më tepër që kundërshtari është shumë i fortë.