
Të shtunën, Kukësi do të luajë kundër Apolonisë, ndeshje e vlefshme për javën e gjashtë të Superiores. Para kësaj sfide, ka folur drejtori sportiv Nderim Nexhipi.
Ky i fundit ka qenë prezent në momentin kur Skënder Gega zbriti në fushë pas rikthimit nga Turqia, ku u kurua për COVID-19. Në një lidhje direkte me "Sport Time", Nexhipi tregoi fjalët e trajnerit, zbuloi ç'kishte ndodhur me të si dhe u ndal te derbi i nesërm mes Tiranës dhe Partizanit.
"Të them të drejtën u bë një kohë e gjatë që e kaluam pa trajnerin tonë. Shyqyr Zotit çdo gjë kaloi mirë. Pas 3 javëve u rikthye pranë ekipit. Kishte një fjalim të shkurtër. I falënderoi çdo futbollist për përkrahjen që ka dhënë. Direkt filloi punën. Tortat i ka bërë gati, pas stërvitjes duhet të hamë torta lart.
KURIMI NË TURQI - "Trajneri ka pasur përkrahje nga të gjithë që ta kalonte këtë sfidë. Gjendja e tij u përkeqësua menjëherë. Për të gjithë ne ishte e rëndësishme që ai ta kalonte këtë gjë. Falë Zotit u shërua, është mirë. Çdo ish-sportist, çdo ish-trajner e ndjek ekipin e tij. Kemi pasur kontakt me të. Kemi folur dhe informuar se si shkojnë lojtarët në stërvitje. Edhe pse ka qenë e vështirë, primare ka qenë shëndeti i tij. Trajneri ka biseduar edhe me presidentin, edhe ai ia ka bërë të qartë që shëndeti mbi të gjitha. Tani duhet të vazhdojmë këtë rrugë. Shpresojmë të vazhdojmë me rezultatet pozitive".
NDIHMA FINANCIARE - "Të them të drejtën, presidenti që nga momenti i parë i ka thënë që do ta ndihmojë nga ana financiare. Ka pasur përkrahjen e tij. E them edhe njëherë, mirë që e kaloi këtë gjë. Sa më shpejt ta marrë veten, është më mirë për të gjithë. Nga java në javë do të bëhet me mirë".
DERBI - "Partizani që doli kampion para dy viteve ndoshta ishte më kompakt. Tirana vitin e kaluar ishte pak më ndryshe. Unë do të veçoja pak Partizanin. Edhe sikur të dua, s'e them dot Tiranën. Më favorit shoh nesër Partizanin". (Qesh)
GOLI MË I BUKUR - "S'do ta harroj dot kurrë atëherë kur i shënova në momentet e fundit. Skuadra e Tiranës ishte bërë gati për të festuar. Por, unë ua prisha festën. Shënova me kokë dhe pse s'ishte arma ime më e fortë".