
Java e 6-të e Superiores kishte rezervuar ndeshjen që pritej që në momentin kur hidhet shorti. Derbi i zjarrtë mes Tiranës e Partizanit pritej të zhvillohej këtë të martë, por ndeshjet e Kombëtares, dëshira e dy klubeve dhe ajo e tifozëve për ta luajtur në ‘Air Albania’ bëri që dy palët së bashku me FSHF të bien dakord për shtyrjen e derbit më 19 tetor.
Spostimi i derbit ka favoret dhe disfavoret e veta dhe mjaft mirë lind pyetja: Kush përfiton më shumë nga kjo?
Një analizë dhe shqyrtim i situatës së dy klubeve sugjeron se bardheblutë mund të përfitojnë disi më shumë se rivalët e tyre. Nëse krahasojmë formën e skuadrave, Tirana vjen nga një humbje në shtëpi me Erzenin ndërsa të kuqtë me një fitore bindëse në një tjetër derbi, atë me Dinamon.
Bardheblutë u kritikuan fort edhe nga opinionistët pas përfundimit të ndeshjes ku konstatuan një skuadër të shthurur e cila gaboi në çdo aspekt ndaj shijakasve. Edhe trajneri Shehi u shpreh se kjo ishte një ndeshje për t’u harruar e madje nuk mund të mësoje asgjë prej saj. Shtyrja e derbit u jep një mundësi 26 herë kampionëve të vendit t’i ‘thërrasin mendjes’ e të bëjnë përgatitjet e duhura.
Shtyrja e derbit do të thotë një javë pushim. Kjo është e gjithashtu një favor tjetër i Tiranës që pret t’i rikthehen nga dëmtimi lojtarë si Ardit Deliu e Patrick. Edhe Hoxhallari pritet të rikuperohet plotësisht teksa nuk ishte në formën e tij më të mirë ndaj Erzenit, dhe kjo u vu re qartë.