
Shqipëria U-16 për vajza e ka mbyllur me fitore turneun UEFA Development për këtë grupmoshë, që u zhvillua në vendin tonë nga data 13 deri më 18 prill. Në ndeshjen e fundit, të zhvilluar pasditen e sotme në “Shtëpinë e Futbollit”, vajzat kuqezi, të drejtuara nga trajnerja Cyme Lulaj, barazuan 1-1 në kohën e rregullt me Maqedoninë e Veriut, por fituan 4-3 pas ekzekutimit të penalltive.
Trajnerja Lulaj e nisi sfidën me këtë formacion: Ambra Reshiti (GK), Marina Rushaj (C), Besiana Gola, Meri Zekaj, Reiana Jahelezi, Andrea Klleci, Ava Hysenaj, Albana Malaj, Kejsi Demiraj, Gurie Memetaj dhe Amalie Jensine Abazi.
Përfaqësuesja shqiptare u tregua sulmuese që në minutat e para dhe kaloi në avantazh në minutën e 15-të me penalltinë e realizuar nga Kejsi Demiraj. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë 1-0 për vajzat kuqezi.
Në pjesën e dytë, Maqedonia e Veriut arriti të barazojë, ndërsa pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, rezultati nuk ndryshoi deri në fund të kohës së rregullt. Në serinë e penalltive, Shqipëria u tregua më e saktë dhe siguroi fitoren me rezultatin 5-4.
Në takimin tjetër të ditës, gjithashtu të zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit”, Bullgaria dhe Gjeorgjia barazuan 2-2 në kohën e rregullt, ndërsa në penallti, fituese doli përfaqësuesja bullgare.
Turneu UEFA Development U-16 për vajza u zhvillua në Shqipëri me pjesëmarrjen e katër ekipeve: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Gjeorgjia.