
Shorti i raundit të parë eliminator të Europa League vendosi Skënderbeun përballë ekipit Santa Julia të Andorës, ndërsa Tirana kundër izraelitëve të Maccabi Tel Aviv.
Nëse Skënderbeu do të kalojë turin e parë, ku është favorit absolut për një gjë të tillë, korçarët do të luajnë kundër fituesit të çiftit Kairat Almati-Atlantas.
Kairati, skuadra nga Kazakistani ka eliminuar në dy raste skuadrat e Superligës, Kukësin në 2014/2015 dhe Teutën në sezonin e shkuar.
Atlantas është një skuadër jo shumë e njohur, që militon në kampionatin e Lituanisë.
Ndërkohë, nëse Tirana do të kalojë turin e parë kundër Maccabi Tel Aviv do të ndeshet me fituesin e çiftit SJK Seinajoki e Finlandës-KR Rejkiavikut të Islandës.