
Blerja e bujshme e ish-sulmuesit të Luftëtarit Vasil Shkurtaj do të ndikojë në zgjedhjet taktike të teknikut Cungu. Ndryshe nga mesfushori Eduart Rroca që merr vendin e Donjet Shkodrës së larguar, Shkurtaj duhet të luftojë kokë më kokë me mozambikasin Reginaldo, i cili e ka shprehur hapur me anë të një postimi dje në Instagram se ai nuk do ta pranojë qëndrimin në stol.
Një variant me të cilin Cungu mund të zbatojë në fushë është 3-4-3. Por ajo që vlen të theksohet se binomo "Shkurtaj-Reginaldo" mund të kthehet në problem menaxhimi për klubin verilindor duke parë egon e madhe që ka mozambikasi dhe ambicien e 26-vjeçarit Shkurtaj që të shkëlqejë me një ekip të fortë dhe konkurues si Kukësi. Zgjedhjet e para të Cungut në formacion do të shihen pas 3 ditësh kur Kukësi do të testojë veten në takimin miqësor me Basaksehirin.