Bruno Dita dhe Renato Arapi ishin dy lojtarët që kanë folur për situatën e krijuar nga Coronavirusi. Mesfushori i Skënderbeut dhe qendërmbrojtësit i Teutës njëzëri dhanë një mesazh të bukur:
“Fillimisht të fitojë njerëzimi, më pas shohim futbollin”. I pari ishte Dita që tregoi arsyen pse i dha shiritin e kapitenit Bajram Jashanicës. Në një lidhje direkte me Supersport, ai tha:
“Ia dorëzova shiritin e kapitenit për atë që ka kaluar, 2 vjet jashtë fushave. Ka dhënë shumë për Skënderbeun. S’ishte një dorëzim për të hequr përgjegjësinë nga vetja. Ishte një vendim i imi për gjithë vështirësinë që ka kaluar Jashanica.
Nuk jemi mësuar që të qëndrojmë gjithë kohën të mbyllur në shtëpi. Në këto momente bëhet fjalë për jetë njerëzish. Sa kemi mundësi do të jetojmë. Shpresojmë të rikthehemi sa më shpejt në jetën normale”, përfundoi Dita.
Më tej ishte radha e Arapit, i cili kishte ndryshuar look ndërsa me batutë tregoi se shokët e quan tanimë Sulo. Kapiteni i durrsakëve u shpreh: “Shokët më thonë që ngjaj si Sulo. Sprova pafund, por si gjithmonë të gjithë bashkë do ia kalojmë këtë periudhë. Këtë periudhë jam munduar ta kaloj me fëmijët duke parë materiale për sportin. Edhe me Play-Station jam mirë, s’jam keq. Luaj online me shokët.
Shpresojmë që ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë dhe njerëzve t’u ritkthehet edhe një herë buzëqeshja”, përfundoi ai.