
Partizani do të luajë nesër sfidën e javës së 9-të të Superligës ndaj Laçit. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” dhe do të nisë në orën 19:45. Sot në konferencën për shtyp ka folur edhe trajneri i Partizanit, Ilir Daja. Numri një i stol të kuq është ankuar për kalendarin e Partizanit, ndërsa ka analizuar edhe sfidën ndaj Laçit.
“Këto ditë na kanë ndihmuar të rikuperojmë energjitë, por edhe të shkarkohemi psikologjikisht. Ndonjëherë nuk shërben, pasi një pjesë luajnë me Shqipërinë U21. Nuk kemi qenë të plot. Ishin dy javë që na shërbyen të vazhdojmë me entuziazëm. Ekipi ka reaguar. Rezultatet duhen përmirësuar dhe të rikuperojmë pikët
Laçi? “Laçi vjen me një asnjë psikologjike të mirë, kanë fituar tre ndeshjet e fundit. Kanë bërë mirë, kanë shënuar më shumë se ne. Ata kanë probleme në mbrojtje, kanë pësuar më shumë se ne. Jemi ekipe rivale, qoftë edhe nga vjet që ishim pretendentë. Na del për detyrë të kemi vazhdimësi pas fitores me Kastriotin. Vetëm vazhdimësia mund ta na çojë aty ku kemi objektiv”.
Lojtarët e dëmtuar? “Cara nuk ka qenë 100 për qind, por nesër është gati pasi e ka kaluar problemin e fundit. Kaçe nuk është në gjendjen më të mirë fizike. E kemi parë në ndeshjet në Kupë dhe në miqësoren me Turbinën. Një kondicion i mirë i tij është vlerë e shtuar për ekipin. Nuk kemi Cardoso e Damcevski, që duan kohë të rikuperohen. Nesër kemi një kontingjent të mjaftueshëm për të përballuar ndeshjen.
Alban Hoxha ka një frakturë në gishtin e dorës. Dje ka nisur ta prekë topin me duar, pasi e kishte të ndaluar. Do ndiqet në vazhdimësi gjendja e tij nga stafi mjekësor. Është kapiteni i ekipit dhe mungesa e tij është e rëndësishme, edhe pse Teqja ka bërë paraqitje të mira. Duhet të jetë afër grupit, pasi është kapiteni. E presim sa më shpejt të jetë me grupin”.
Stadiumi dhe kalendari? “Doja ta shmangia pjesën e stadiumit. E kam me organizatorët e Kupës. Duhet të vazhdojmë me dy data edhe në kampionat, shoh diferencim në dëm të Partizanit. Nëse i referohemi Kupës, prioritet është kampionati i kaluar. Vjet kemi qenë sipër, bashkë me Laçin. Ne luajmë për tre ditë, të tjerët kanë 4-5 apo pesë ditë dhe kanë kohë të rikuperohen. Nuk është pozitive, pasi duhet të jemi të barabartë me të tjerët. Presim të kemi mbështetjen e tifozëve tanë nesër, kemi nevojë dhe është gjë e mirë që u kthyem në Tiranë”.
Ecuria? “Kemi tre javë që nuk pësojmë, me gjithë Kupën. Futemi në çdo ndeshje për të fituar, pavarësisht se kemi pasur problemet tona me shënimin e golave dhe humbjen e rasteve. Veçse të mbrohemi mirë, duhet që ekipi të ketë të njëjtën manovër edhe në sulm. Kur shënon i pari ke anë psikologjike dhe mund ta drejtosh lojën aty ku janë objektivat. Shpresojmë ta vazhdojmë këtë ecuri. Do më pëlqente edhe të pësonim, por të shënonim më shumë se kundërshtari për të fituar”.
Kë preferonit në çerekfinalen e Kupës? “Nuk kishim preferencë për çerekfinalet. Ndeshjet janë të vështira sa më lart të shkosh. Çdo ekip do ishte i vështirë, qoftë Tirana, Dinamo, apo ndonjë ekip tjetër që mund të na ofronte shorti”, u shpreh Daja.