
Bylis fitoi ditën e djeshme me përmbysje 2-1 ndaj Tiranës. Një takim që shkaktoi shumë polemika për mënyrën sesi u shënuan golat, por edhe lëvizjet e koefiçentëve të basteve që favorizonin ndjeshëm ballshiotët edhe pse ishin duke u mundur 0-1 në pjesën e parë.
Komisioni I Etikës ka nisur grumbullimin e fakteve, pamjeve dhe deklaratave për ndeshjen e zhvilluar ditën e djeshme. Tashmë mbetet për t'u parë se çfarë vendimi do të marrë Komisioni I Displinës për këtë takim që shkaktoi jo pak polemika, por që është mohur në mënyrë kategorike nga Tirana që hedhin poshtë akuzat për lënien e ndeshjes. FSHF-ja bën me dije në faqen zyrtare se ka kërkuar informacion nga "Sport Radar" për luhatjen e koefiçenteve si dhe bën me dije se do të ketë sanksione ekstreme nëse këto akuza provohen.
Postimi i FSHF-së:
Federata Shqiptare e Futbollit njofton median dhe opinionin sportiv, se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Bylis - Tirana (2-1), e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, ka kërkuar informacion nga kompania "Sport Radar" nëpërmjet UEFA-s, për të mësuar nëse ka pasur baste të dyshimta për këtë takim.
Federata bën me dije se, ka nisur hetimin për këtë çështje dhe po grumbullon materialet e nevojshme dhe do te ketë vendimarrje, në rast se do të ketë prova.
Gjithashtu, FSHF prej kohësh e ka bërë të qartë qëndrimin e saj të prerë kundër këtij fenomeni tejet të dëmshëm për futbollin dhe paralajmëron edhe një herë klubet se do të përballen me masa të rrepta dhe sanksione ekstreme, deri në përjashtim nga aktiviteti, në rastet kur akuzat për trukim do të provohen.