
Feyenoordi, ekipi legjendar holandez do të zbresë edhe njëherë tjetër në Tiranë, ku pas ndeshjes me Partizanin në vitin 1991 në "Qemal Stafa", tashmë do të ketë përballë Romën, në të njëjtin stadium, por tashmë të rinovuar dhe të emërtuar "Air Albania".
15 herë kampionët e Holandës, që kanë patur në ekip emra nga më të mëdhenjtë e futbollit, si Rud Gullit, Johan Cruyff apo Ronald Koeman, do të kërkojnë në Tiranë triumfin në një kupë të Europës që u mungon që nga viti 2002, kur mposhtnin Borussian e Dortmundit në finalen e Kupës UEFA, sot Europa League.
Rrugëtimi i holandezëve deri në finalen e Tiranës është i veçantë, pasi këtë rrugëtim ata e kanë nisur në Kosovë, ku në turin e parë shorti i përballi me Dritën. Pavarësisht se në letër fitorja e Feyenoord ishte shumë e thjeshtë, fusha tregoi të kundërtën. Ndeshja e parë përfundoi me rezultatin 0-0, ndërkohë që në sfidën e kthimit Feyenoord rrezikoi edhe eleminimin, pasi skuadra nga Kosova udhëhiqte ndeshjen me rezultatin 1-2 deri në minutën e 68-të, por eksperienca bëri që të dorëzoheshin në minutën e 90-të, kur holandezët përmbysën rezultatin.
Pas Dritës, Feyenoord eleminoi zvicerianët e Luzern, ndërkohë që në Play Off fitoi pa shumë vështirësi ndah suedezëve të Elfsborg. Në grup holandezët u përballën me Maccabi Haifa, Slavian e Pragës dhe Unionin e Berlinit, ku arritën të merrnin 14 pikë dhe të dilnin të parët në grup.
Raundi tjetër do t'i përballte holandezët me Partizanin e Beogradit, një përballje që rezultoi shumë e lehtë, pasi Feyenoord i fitoi të dyja sfidat. Fati e donte që në fazën çerekfinale Feyenoord të përballej sërish me Slavian e Pragës, kundërshtarin në grupe, ku pas barazimit 3-3 në ndeshjen e parë, në Çeki holandezët arritën të merrnin një fitore të madhe 1-3.
Gjysmëfinalja ndaj Marsejës ishte një nga sfidat më të forta të Feyenoordit në Conference League. Ndeshja e parë në Holandë ishte shumë e luftuar, por vendasit arritën të triumfonin me rezultatin 3-2, ndërsa në Francë, barazimi 0-0 bëri që Feyenoord të rikthehej për të luajtur sërish një finale të madhe.
Në Tiranë i pret Roma, ekipi i shqiptarit Marash Kumbulla dhe një prej trajnerëve më të mirë të kohëve të fundit, Jose Mourinho-s. Finalja është e vështirë për t'u parashikuar, por holandezët e kanë synimin e qartë: E nisën duke "fikur" Dritën, duan ta përfundojnë duke rrëzuar "Perandorinë" Roma-ke. /Xhon Metaj/