
Rikthehet magjia UEFA Champions League. Kompeticioni më i
dashur në rruzullin tokësor rikthehet këtë mbrëmje me raundin e parë
kualifikues të saj. Një mbrëmje drithëruese pritet të jetë edhe për dy skuadra
shqiptare, Shkëndija e Tetovës dhe Feronikeli.
Pasi fituan titullin respektivisht në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, dy ekipet
do të tentojnë mrekullinë. Ndaj estonezëve të Kalju, kuqezinjtë e Qatip Osmanit
do të "debutojnë" në këtë sezon të Champions, ndërkohë që Feronikeli
vjen pas fitimit të fazës preliminatore, zhvilluar në Prishtinë.
Kosovarët do të kenë përballë një rival të fortë në letër, teksa kanë udhëtuar
drejt Uellsit për tu ndeshur me TNS. Takimi mes tyre do të nis në orën 20:00,
fiks dy orë pas zbritjes në fushë të Shkëndijës, e cila synon sërish kalimin e
raundeve dhe pse jo, grupet në Kupat e Europës.
Skuadrat janë forcuar dhe kanë ndërruar fytyrë nga sezoni i shkuar, tashmë i
mbetet vetëm të japin maksimumin në fushën e blertë.