RENDITJA/ Bylisi “blindon” kreun, Elbasani dhe Vora ngjiten në klasifikim. Zhgënjejnë Kastrioti e Flamurtari
Shkruar nga NEWSPORT
Kategoria e Parë ka mbyllur ditën e djeshme ndeshjet e javës së 9-të të saj. Skuadrat zënë vendet e tyre në tabelën e klasifikimit me Bylis që tashmë ka “blinduar” vetën e parë.
Ballshiotët nuk ndalen as nga Apolonia, teksa skuadra e Arjan Bellait triumfoi 1-0 ndaj fierakëve. Pas këtyre 3 pikëve ata thellojnë diferencën me vendin e dytë me 6 pikë. Pas tyre renditet Elbasani, me këta të fundit që fituan me poker ndaj Tomorit. Ekipi i Nevil Dedes mban vendin e dytë me 19 pikë pas 9 javësh. Me një pikë më pak renditet Vora, e cila gjithashtu fitoi ndaj Korabit me shifrat 1-0.
Apolonia që u mposht nga Bylisi mbetet në kuotën e 17 pikëve në vendin e 4-të, ndërsa Flamurtari ka arritur të grumbullojë 15 pikë. Vlonjatët u suprizuan nga Burreli, teksa u mposhtën 1-0 mes shumë kontestimesh. Me 4 pikë më pas vjen Korabi që mban në vendin e 6-të.
Lushnja gjithashtu shkaktoi një tjetër surprizë, pasi mposhti Kastriotin meshifrat 3-1. Lushnjarët tashmë shkojnë në kuotën e 10 pikëve dhe mbajnë vendin e 7-të. Po kaq pikë ka dhe Tomori i vendit të 8-të. Kastrioti nga krahu tjretër pas humbjes zbret në vendin e 9-të me 9 pikë.
Besa e Kavajës ka grumbulluar 8 pikë, ndërsa Burreli 7 dhe mbyll klasifikimin Luzi me vetëm 2 pikë pas 9 javësh kampionat të zhvilluar deri tani.