
Java e 20-të e kampionateve të moshave, ka dhuruar një fitore dhe një barazim për ekipet e Akademisë Vllaznia të cilat i kanë luajtur ndeshjet e tyre në transfertë.
Kështu, Vllaznia U-19 ka fituar 1-0 ndaj Internacional ndërsa ajo U-17 ka barazuar 1-1 me Shkëndinë e Tiranës. Në ndeshjen e 19 vjeçarëve, të luajtur në Pezë- Helmes, kuqeblutë e trajnerit Zmijani janë treguar racionalë në lojën e tyre duke krijuar disa raste megjithatë është shënuar vetëm një gol.
Ka qenë pikërisht golashënuesi më i mirë i këtij ekipi, Eridon Qardaku, ai që ka shënuar në minutën e 45-të dhe me këtë gol ka përfunduar krejt ndeshja, pavarësisht rasteve të tjera të krijuara. Vllaznia U-19 pas kësaj fitoreje është ngjitur në kuotën e 49 pikëve duke qenë në krye të renditjes.
Ndërkohë në Kamëz është luajtur ndeshja e vlefshme për javën e 20-të të kampionatit kombëtar të 17 vjeçarëve, ajo në mes Shkëndisë vendase dhe Vllaznisë.
Kjo e fundit ka arritur të barazojë 1-1, por duket se pika e marrë në këtë ballafaqim nuk vlen aq sa duhet sepse rivali i saj për vendin e dytë- Shënkolli, ka arritur të fitojë ndaj Brians dhe për këtë arsye diferenca në mes tyre vazhdon të mbetet në 8 pikë.
Takimi ka nisur mirë për kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi. Në minutën e 12-të ka qenë mbrojtësi shtatëlartë Xhoni Tinaj që i ka kaluar ata në avantazh. Pjesa e parë është mbyllur me këtë gol, ndërkohë që në të dytën, Shkëndia ka arritur të barazojë me anë të Komonimit në minutën e 53-të.
Pas pësimit të këtij goli, shkodranët e kanë rritur presionin në kërkim të golit të barazimit por nuk ia kanë dalë. Futbollistët e Shkëndisë kanë zhvilluar një luftë jo të rregull sportive dhe këtë e tregon më së miri edhe fakti se disa prej tyre janë ndëshkuar me kartona të verdhë.
Përfundimisht 1-1 dhe Vllaznia U-17 me pikën e marrë sot është ngjitur në kuotën e 32 pikëve por gjithsesi nuk do heqë dorë nga vendi i dytë, vend ky që i çon në fazën play-off.