Teuta fitoi të shtunën 1-0 me Laçin në shtëpi. Durrsakët kështu kryesojnë Superligën së bashku me Vllazninë në kuotën e 46 pikëve. Fitorja në “Niko Dovana” ka bërë që presidenti Edmond Hasanbelliu të akordojë 10 mijë euro premio për ekipin, dukshëm si një motiv shtesë për perfomanca të mira në sfidat e radhës.
Të ndërtuar për titullin kampion, “Djemtë e Detit” asnjëherë nuk i kanë fshehur ambiciet e titullit këtë sezon, duke mbërritur për herë të parë në këtë kampionat në krye. Tej premios, stafi teknik ka lënë pushim skuadrën, ndërsa përgatitjet për ndeshjen e radhës me Apoloninë në transfertë do të fillojnë sot pasdite.