
Biznesmeni grek, pronar i Olympiacos (Greqi) dhe Nottingham Forest (Angli) rezulton i prekur me Coronavirus. Evangelos Marianakis e dha vetë lajmin se është prekur nga virusi që ka alarmuar botën mbarë, duke këshilluar këdo që të ndjekë masat e mjekëve për këtë rast.
"Virusi i fundit më ka 'vizituar' edhe mua, ndaj ndjehem i detyruar të njoftoj publikun. Ndihem mirë dhe kam marrë të gjitha masat e nevojshme, duke ndjekur këshillat e mjekëve. Ju këshilloj që të bëni të njëjtën gjë", u shpreh Marianakis në rrjetet sociale.
Manjati i transportit ishte i pranishëm në "Emirates", aty ku Olympiacos i tij kaloi Arsenal, duke bërë që të vijojë turin për në Europa League. Gjithashtu, vizitat e tij me Anglinë nuk janë ndalur, teksa të premten e shkuar ishte prezent në humbjen 0-3 që Nottingham pësoi ndaj Millwall.
Pronari i dy klubeve nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në ndeshjet e skuadrave të tij, teksa është i izoluar si shkak i virusit. Tanimë ka një panik nga tifozët dhe miqtë e 52-vjeçarit, që i kanë qëndruar pranë kohët e fundit.