
Ndarja nga jeta në moshën 86 vjeçare e legjendës së Partizanit dhe njëkohësisht presidentit të Nderit të Federatës Shqiptare të Futbollit, ka sjellë trishtim në ambientin sportiv. Papadhopulli njihej si një njeri i urtë, që me dijen e tij mbi sportin e veçanërisht futbollin, ka dhënë kontributin e tij në zhvillimin e kësaj disipline.
Miço Papadhopulli lindi në 11 mars 1933 në Tiranë, në një familje sportdashëse. Që në vegjëli, ai tregoi dashuri për futbollin duke u bërë pjesë më vonë e ekipeve të asaj kohe. Talentin e tij e pikasën te klubi sportiv "Partizani", aty ku është pashmangshmërisht i lidhur. Sezoni i parë me të kuqtë ishte ai i vitit 1957-1958, që do të rezultonte dhe vendimtar për të ardhmen e djaloshit. Partizani shpallej kampion i Shqipërisë atë vit dhe Papadhopulli do të merrte një shtysë më shumë për të luajtur titullar. Sezonet e tjera pasardhëse do të ishin të suksesshme si në aspektin personal, ashtu edhe ekipor. Me ekipin e Partizanit, ai luante në rolin e mbrojtësit dhe do të ishte i pakalueshëm për kundërshtarët. Më vonë, bashkëkohësit do e kujtonin si një mbrojtës kalibri që ishte e vështirë t'i kaloje me top.
Si pjesë e ekipit të kuq, Papadhopulli fitoi gjashtë tituj kampion të Shqipërisë. Përkatësisht në vitet 1957, 1958, 1959, 1961, 1963, 1964. Me Partizanin ai nuk do të mjaftohej vetëm me titujt, pasi në fushë ishte një lider që shtynte ekipin drejt sukseseve. Përgjatë kësaj periudhe, Miço Papadhopulli ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në klubin e Partizanit. Me skuadrën e lavdishme të asaj kohe Papadhopulli fitoi medaljen e argjendtë në turnetë ndërkombëtar të Laipcig të Gjermanisë(1958) dhe në Hanoi të Vietnamit(1963).
Pas "varjes së këpucëve në gozhdë", Papadhopulli do të mbante edhe disa poste në organizmin e futbollit të asaj kohe. Ai ka qenë specialist futbolli gjate diktaturës dhe e ka vijuar punën edhe pas vitit 1990. Në vitin 1997 deri në 2002 ai do të mbante postin e Presidentit të Federatës së Futbollit, në vitet e vështira kur askush nuk mendonte për lojën më të ndjekur në botë. Gjatë këtyre viteve në krye të institucionit të futbollit, me dëshirën dhe vizionin e tij ai ka hedhur themelet për avancimin e sportit në vend.
Pas vitit 2002 Federata e Futbollit do e nderonte për angazhimet në sport, duke i dhëne titullin "President Nderi i FSHF-së". "Mjeshtri i madh", "Mjeshtëri i Merituar", Miço Papadhopulli i fitoi të gjitha në jetën e tij profesionale, por mbi të gjitha respektin e të gjithë komunitetit dhe qytetarëve që e njihnin, si një njeri të qeshur dhe shumë human.
Stafi i newsport.al ngushëllon familjarët për humbjen e njeriu të tyre të dashur.