
Gaz Demi ishte i ftuar mbrëmë në emisionin "Procesi Sportiv" në Top-Channel. Presidenti i Partizanit analizoi skuadrën e tij në këtë sezon futbollistik, teksa u ndal edhe te organika e lojtarëve, veçanërisht te futbollisti që ka shkëlqyer Kaleb Ekuban. Italo-ganezi pritet të largohet nga të kuqtë pasi periudha e huazimit me Kievon ka përfunduar. Megjithatë drejtuesit e 15-herë kampionëve të Shqipërisë kanë shpresa për ta mbajtur edhe për një sezon.
Këtë e konfirmoi presidenti Demi, ku deklaroi: "Kaleb Ekuban është një lojtar shumë i mirë. Ne e patëm marrë nga Kievo me huazim deri në fund të këtij sezoni. Tashmë atij i ka përfunduar kontrata dhe ne jemi në bisedime për ta mbajtur edhe një vit tjetër. Edhe vetë Ekuban ndihet mirë te ne dhe marrëdhëniet me klubin italian i kemi pasur shumë korrekte. Ndaj kemi shumë shpresa për ta mbajtur edhe një sezon tjetër", përfundoi kreu i të kuqve.