
Viron Bezhani, presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, ka dhënë një deklaratë për mediat. Bezhani kërkon që sportistët të lihen të qetë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të arrihen rezultatet që gjithë Shqiptarët dëshirojnë. Duke marrë shkas nga sukseset e Evangjeli Velit dhe Majlinda Kelmendit, presidenti thekson që në orët në vijim, në kohën kur do të garojnë edhe sportistët e tjerë, priten dhe rezultatet e mira. Kështu që në mënyrë që të arrihet kjo, kreu i KOKSH-së kërkon edhe ndihmën e medias.
"Të nderuar miqtë e mi, sportistë, trajnerë, drejtues, gazetarë e sportdashës!
Gjate këtyre ditëve të Olimpiadës kam përjetuar, por besoj se dhe ju bashkë me mua, emocione nga më të ndryshmet. Për fat të keq, thashethemet kanë qenë ato që kane zënë vendin kryesor në ekipin Olimpik shqiptar, duke konfirmuar edhe një herë se në vend të punës së përditshme, stërvitjes dhe realizimit të ëndrrës së çdo sportisti janë fjalët, akuzat dhe mosbesimi ato që po na pengojnë të ecim përpara. Shembulli më i mirë i sportistit që punon çdo ditë për medalje, duke folur me rezultatet e saj dhe jo duke hedhur baltë mbi të tjerët, është Majlinda Kelmendi.
E kam thënë dhe e përsëris, se sporti nuk bëhet me fjalë, por me punë, ashtu siç kanë bërë edhe këta 6 sportiste që janë këtu në Olimpiadë dhe që i falënderoj, pasi për të arritur deri këtu kanë sakrifikuar shumë. Miqtë e mi, të mos lemë thashethemet që të prishin këtë ëndërr të bukur të këtyre sportistëve, por lërini ata të përjetojne emocionin olimpik, atë për të cilën së bashku kemi luftuar e punuar këto vite. E përsëris se sporti shqiptar, kaq i brishtë dhe i përbuzur për më shumë se dy dekada, nuk ka nevojë për mëri, inate e xhelozi, por për më shumë solidaritet, bashkëpunim e besim te njëri-tjetri.
Unë uroj që ashtu siç na nderoi Evangjelia dje në garën e saj, ku u rendit e teta në Olimpiadë, ashtu siç na nderoi Majlinda, që mori medaljen e artë, ashtu do të na nderojnë edhe sportistët e tjerë që do të konkurrojnë në ditet në vijim. Ëndrra olimpike nuk mund të pengohet nga thashethemet dhe pazaret e ulta, komentet e kota që pengojnë sportin dhe sportistet. Sporti flet me rezultate, ndaj lërini sportistët të tregojne forcën e tyre dhe të nderojnë veten e tyre dhe Shqiperinë", përfundon Viron Bezhani.