
Jurgen Vrapi dhe Ardit Nikaj janë dy afrimet e para në klubin e Skënderbeut. Përmes një njoftimi në kanalin zyrtar, korçarët bëjnë me dije se lojtarët kanë firmosur kontrata përkatësisht 4 dhe 3-vjeçare.
Edhe një herë bardhekuqtë kërkojnë të tregojnë se politikat e tyre për të investuar tek të rinjtë nuk kanë ndryshuar, pavarësisht dënimit të UEFA-s me 10 vite nga Kupat e Europës. Në njoftimet në kanalin zyrtar të klubit të Skënderbeut thuhej:
"Jurgen Vrapi është zyrtarisht bardhekuq!
22 vjeçari ka firmosur së bashku me presidentin Ardjan Takaj kontratën që e lidh me klubin tonë për 4 vitet e ardhshme. Vrapi luan si mesfushor dhe në karrierën e tij ka provuar të luajë me Dinamon, Flamurtarin dhe sezonin e fundit me Tiranën ku është aktivizuar në 20 takime! #ëelcome Champ!
Ardit Nikaj është zyrtarisht bardhekuq!
19 vjeçari Shkodran shkëlqeu në sezonin e fundit duke shenuar 25 gola për ekipin #under19 të Vllaznisë duke u vendosur menjëherë në listën e drejtuesve të klubit jo vetëm për golat por edhe për nivelin tekniko-taktik të treguar gjatë sezonit të fundit.
Nikaj ka firmosur së bashku me presidentin Ardjan Takaj kontratën që e lidh me klubin tonë për 3 vitet e ardhshme!"
Ditën e djeshme, trajneri Migen Memelli ka nisur përgatitjet me skuadrën e Skënderbeut për sezonin e ri. Ndërkohë, nga ana tjetër, drejtuesit po punojnë për të pasuruar organikën me elementë cilësorë.