
Të braktisësh ekipin në mes të sezonit futbollistik është bërë e modës tashmë në Superiore. Pas largimit të lojtarëve nga Flamurtari, braktisja e Tiranës nga trajneri Ahmataj apo dhe largimi i Kitanovskit nga Kukësi, radhën për "firo" në skuadër e ka Skënderbeu.
Tetë herë kampionët e vendit po hasin vështirësi financiare që pas dënimit 10 vjeçar nga UEFA, por megjithatë kjo nuk ishte vënë re tek futbollistët të cilët kanë bërë rezultate pozitive në fushë. Por mesaduket stërvitja e ditës së martë nuk është zhvilluar në Korçë dhe kjo për arsye të pagave.
Futbollistët e Klubit të Skënderbeut pasi janë grumbulluar në dhomat e zhveshjes, i kanë komunikuar trajnerit Ilir Daja vendimin se nuk do të paraqiteshin në stërvitje. Siç raporton RTSH, lojtarët e Skënderbeut kanë tre muaj që nuk kanë marrë pagat, ndërkohë "senatorët" e klubit përveç këtyre tre muajve kanë dhe tre të tjerë nga sezoni i kaluar.