
Tekniku i Milanit, Stefano Pioli foli në konferencën për shtyp në prag të sfidës me Leccen. Pioli u pyet për ecurinë e skuadrës që tani e sheh veten jashtë zonës Champions pas rikthimit të 15 pikëve Juventusit.
Bardhezinjtë tani e shohin veten të tretët me 59 pikë ndërsa Milani në vend të pestë. Por për trajnerin e kuqezinjve kjo nuk është një problem.
“Është e rëndësishme të fitojmë. Mund ta përfundojmë mirë këtë sezon. Mbeten 8 ndeshje, 5 prej të cilave janë në San Siro, duhet ta përfundojmë sezonin mirë për kualitetet që kemi.
Ibra do të thirret, ka pasur pak autonomi, por është mirë. Giroud nuk do të jetë, ka pasur një tërheqje të vogël në kofshë. Pobega mori një goditje sot, do të shohim nesër.
15 pikët e Juventus? Juve nuk do të na ndikojë. Sigurisht, sa më shpejt të ketë një tabelë definitive do të jetë më mirë për të gjithë.
Kualifikimi në gjysmëfinalen e Champions? Kishte shumë eufori, ishte e pashmangshme, duke qenë se mundëm një kundërshtar të fortë. Tani duhet të sjellim këtë energji në ligë. Dy ndeshjet e tjera janë shumë të rëndësishme për fundin e sezonit. Lecce na dha një ndeshje të vështirë fazën e parë, duhet të jemi të përgatitur."