
Nuk preferon konferenca për shtyp, por ka zgjedhur të flasë para çdo ndeshje pas seancës së fundit stërvitore të skuadrës. Emanuel Egbo, trajneri i Tiranës ka "skanuar" derbin me Partizanin teksa është shprehur se nuk ka eufori te futbollistët e tij.
Analizon shkurtimisht të kuqtë, ndërsa meritën më të madhe vijon t'ia dedikojë Zotit. Sipas trajnerit bardheblu, kjo sfidë ndikon vetëm në moralin e skuadrës, pasi pikët janë njësoj si ndeshjet e tjera.
- A besoni te ecuria
pozitive e skuadrës? Mendoni se ekipi do të vijojë rrugën e fitoreve?
Nuk ndryshon asgjë, është ndeshje e radhës për ne. Do futemi në lojë, si në
çdo ndeshje që kemi bërë deri tani. Është e njëta ndeshje si me të tjerat.
- Sa entuziastë janë
lojtarët e Tiranës?
Lojtarët janë të qetë, nuk është ndeshja e parë që lojtarët luajnë një
derbi. Lojtarët janë me këmbë në tokë dhe do japim maksimumin në fushën e lojës.
- Çfarë ka ndryshuar prej
ndeshjes me Partizanin?
Ka ndryshuar që lojtarët kanë fituar ndeshjet duke dhënë më të mirën e
tyre. Ka vetbesim, ka harmoni dhe ka shumë gjëra pozitive. Çunat nëse futen në
fushë dhe japin maksimumin do marrim atë që meritojmë.
- A keni meritë për këtë
skuadër?
Zoti ka meritën e parë. Zoti është ai që të bën ty të mendosh në mënyrën e
duhur. Nëse nuk e ke Zotin në krah, gjërat nuk bëhen ashtu siç do ti. Veprat e
tij nuk krahasohen me veprat e njerut. Nëse jep më të mirën, Zoti do shohë dhe
do të japë atë që do ti.
- A e keni frikë
Partizanin?
Frikë nuk kemi. Mendoj vetëm për ekipin tim. Nëse japim atë që kemi bërë
deri tani do marrim maksimumin.
- Si do ndikojë
fitorja në kampionat?
Kampionati është ende shumë i gjatë. Ka edhe shumë ndeshje. Ka vetëm tre
pikë kjo ndeshje. Tre pikë janë në çdo takim. Normalisht që te morali ndikon,
por skuadra e ka krijuar mentalitetin tashmë.
- Si është gjendja e
skuadrës? A do të jenë në fushë, Kale dhe Torasa?
Mendoj që çunat do jenë gati deri nesër. Çdo lojtar brenda ekipit është i
rëndësishëm.