Sezoni 2022/23 nuk nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për klubet e Abissnet Superiore. Kjo pasi vetëm Laçi ja doli të kalojë një tur, teksa më pas u përball me eleminimin e papritur nga Petrocub. Skuadrat shqiptare pavarësisht ndeshjeve të humbura, ja dolën të arkëtojnë qindra milionë lekë. Kështu Europa i shpërbleu ato, me shuma që i shtohen buxhetit për të synuar të paktën sërish Europën.
Më e fituara është Tirana, e cila e nisi nga kualifikueset e Champions League. Pas eleminimeve nga Dudelange dhe Zrinjski, kampionët e Shqipërisë dolën me minimumin që mund të arkëtonin. Shuma e përfituar gjithsesi nuk është e vogël, pasi janë 810 mijë euro të fituara, që të përkthyera në lekë shkojnë rreth 950 milionë lekë të vjetra.
Pas Tiranës vjen Laçi, që arriti deri në turin e dytë të Conference League duke fituar kundër Iskras. Shuma e mbledhur nga kurbinasit është 550 mijë euro. Vendin e tretë nga katër klubet përfaqësuese të Abissnet Superiore e mban Vllaznia, e cila e filloi aventurën nga turi i dytë. Kuqeblutë kapën shifrën e 450 mijë eurove, pasi nuk ia dolën të kualifikohen kundër Craiovës që rezultoi rival i fortë.
Më i humburi është Partizani, i cili e nisi në turin e parë të Conference League dhe u mposht nga Saburtalo. Të kuqtë përfituan vetëm 250 mijë euro. Këto shifra mund të quhen të konsiderueshme, krahasuar me 6 klubet e tjera të Superiores, që e nisin nga zero sezonin e ri më 20 gusht.
Përfitimet nga Europa:
Tirana: 810 mijë euro
Laçi: 550 mijë euro
Vllaznia: 450 mijë euro
Partizani: 250 mijë euro