Merkato ende s’është hapur, ndërsa shumë emra kanë nisur të lakohen në vendin tonë. Jo vetëm lojtarë, por edhe trajnerë priten të lëvizin në këtë verë të nxehtë. Ilir Daja vijon të jetë “timonieri” më i lakmuar nga skuadrat e Superiores dhe jo vetëm. Edhe në Maqedoninë e Veriut, Shkëndija e Tetovës ka bërë ofertë për teknikun kryeqytetas që momentalisht është në krye të pankinës së Skënderbeut.
Së fundmi, shtypi i shkruar raporton se Partizani po punon intensivisht për të sjellë në kryeqytet teknikun e njohur. Është vetë drejtori Olsi Rama që po drejton këtë “operacion” që në pamje të parë duket mjaft i vështirë. 53-vjeçari ka disa kushte nëse do të pranojë një ofertë të të kuqve. Pritet të shihet se ku do të përfundojë Ilir Daja, që veç Partizanit dhe Shkëndijës së Tetovës, është përfolur për të marrë edhe drejtimin e bardhebluve. Pozitat e Sormanit janë më të lëkundura se kurrë. 5 javët e fundit do të vendosin përfundimisht për fatin e italianit.
Nëse Daja i thotë “Po” Partizanit, të kuqtë po lëvizin për të afruar në skuadër edhe një titullar fiks të Tiranës. Bëhet fjalë për mbrojtësin e linjës së majtë, Erjon Hoxhallarin. Ky i fundit shihet si zëvendësues ideal i Lorenc Trashit që u zyrtarizua në Kuvajt.