Partizani vuajti këtë sezon në fazën sulmuese, ndërsa faza e avancuar ishte me probleme serioze për finalizimin te kampionët në fuqi. Për këtë arsye, Demat kanë bërë afrimin e parë për sezonin që vjen. Bëhet fjalë për Lucas Cardoso, lojtarin që Partizani afroi në sezonin 2018-19 dhe që ka qenë i huazuar te disa skuadra.
Braziliani qysh prej janarit ka luajtur te Besa e Kavajës, ndërsa mësohet se e ka "kaluar klasën", duke bindur trajnerin Sormani dhe stafin teknik, për të qenë pjesë e sezonit të ardhshëm. Dëmtimet dhe operacioni në gju e mbajtën jashtë fushe për një kohë të gjatë 26 vjeçarin, që duket se do të jetë afrimi i parë për sulmin e të kuqve nga sezoni që vjen. I huazuar për 2 sezone te Drita në Kosovë dhe Besa e Kavajës, Cardoso do të rikthehet edhe njëherë me fanellën e kuqe.
