Partizani i këtij sezoni padyshim ka lënë gojëhapur të gjithë skeptikët. Dje, u shënua e gjashta fitore radhazi me një triumf spektakolar 4-1 kundër Vllaznisë. Skuadra e drejtuar nga Arbër Abilaliaj bëri mirë në fushë. Megjithatë në sy takim pas takimi po bien dy futbollistë.
Bëhet fjalë për Arinaldo Rrapajn dhe Maguette Gueye. Dy mesfushorët e kuq kanë njohur progres në lojën e tyre dhe ndaj Vllaznisë ishin spektakolarë. Nëse Rrapaj është shndërruar në pikë kyçe për mesin e fushës, Maguette këtë vit ka fituar vendin e titullarit pas largimit të Matondos.
Pikërisht këta dy futbollistë janë gjetje të Ilir Dajës. Rrapaj është “ekskluzivisht” dhe padiskutim dora e trajnerit kryeqytetas. E shquajti te Flamurtari, e rriti te vlonjatët, e “poqi” te Skënderbeu dhe e mori me vete te Partizani duke i lënë të kuqve një xhevahir. Ndërkaq edhe Maguette u afrua tek të kuqtë në verën e atij viti kur Daja mori drejtimin e tyre.
Edhe pse disa herë, u përfol që afrikani do të largohej, Daja kishte vendosur “veton” aq sa dhe drejtuesit nisën ta kishin “pikë të dobët” në vitet e ardhshme. Disa herë ka kërkuar largimin, por presidenti Demi bashkë me drejtorin Rama duket se e kanë “vënë vëth në vesh” vendimin e Dajës dhe tashmë fusha po i jep të gjithëve të drejtë.