
Ëndrra e Safet Gjicit, presidentit të Kukësit, do të mbetet në sirtar të paktën deri në sezonin e ardhshëm futbollistik. Për të motivuar ekipin e tij, duke pretenduar se do t'ia kalojë Tiranës në këtë kampionat, Presidenti i Kukësit në 25 qershor në intervistë për median deklaronte se shancet e Kukësit të merrte kampionatin ishin shumë të mëdha. Gjici, më shumë se sa të merrej me skuadrën e tij, u mor me Tiranën duke menduar mënyrat sesi do të ndalte ekipin që kryeson renditjen në Superligë.
"Nuk e kam lënë pas dore skuadrën dhe Kukësi është aty si çdo vit. Unë nuk dorëzohem kurrë, ja Tirana humbet me Skënderbeun dhe ne fitojmë ndaj Bylisit. Ne do të fitojmë në ndeshje direkt edhe pse 9 pikë nuk janë pak. Tirana ka një ekip shumë të mirë dhe nuk e prisja që një trajner portierash të bënte këtë ecuri" pat deklaruar Safet Gjici në 25 qershor. E pra, ndeshja mes Skënderbeut dhe Tiranës u mbyll me rezultatin 1 me 2 në favor të skuadrës bardheblu, e për këtë vit, ëndrra e Gjicit do të arkivohet deri vitin tjetër të përballjes së këtyre dy skuadrave, dhe në pritje të sfidës direkte që do të ketë këtë javë Kukësi me Tiranën.