
Vendi ynë po kalon ditë ankthi, si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit që la pas 50 viktima. Mbrojtësi i Teutës, Aleksandër Kuro ishte një prej të mbijetuarve, që ia doli të shpëtonte nga tragjedia. Lojtari i "Djemve të Detit" ka treguar për mediat greke se ka parë tmerr me sy, aq shumë sa ia ka mbathur drejt Athinës, për t'u bashkuar me familjen.
"Isha nga shoku i skuadrës Arbër Çyrbja. Përpara tërmetit të madh ndodhën disa të vegjël që na mbajtën zgjuar. Duke qenë vonë, ndenja nga shtëpia e Arbrit për të fjetur. Pas tërmetit të madh dolëm si të tërbuar, ishte sikur kishte rënë bomba. Njerëz që qanin, tmerr kudo. Shkova në shtëpi dhe para meje një pallat u shemb si kullë letre. Pas dy orësh vendosa të largohem me makinë drejt Greqisë, por më nevojiteshin dokumentat. Pallati ku jetoj ishte shkatërruar, mure të rëna, plasaritje. Mbi krevatin tim ishin dy tulla dhe tavani i rrëzuar. A e kupton çfarë do kishte ndodhur po të isha aty?", ka rrëfyer Kuro për orët e ankthit.