
Tjetër natë magjike për Rusell Westbrook, i cili nga ndeshja në ndeshje vazhdon të vendosë rekorde të reja në Nba. Ai është padiskutim lojtari i momentit në basketbollin amerikan teksa falë 28-vjecarit nga Kalifornia, Oklahoma City Thunder hodhi një tjetër hap të sigurtë drejt kualifikimit në fazën play-off. Për të 38-tën herë në këtë sezon Rusell Westbrook arriti shifrat e dyfishta në cdo aspekt të lojës duke treguar edhe njëherë që është një basketbollist i kompletuar dhe të gjithë do donin ta kishin në skuadër por këtë fat e ka vetëm Oklahoma.
Me 57 pikë 13 rebound dhe 11 asist në sfidën ndaj Orlando Magic, Westbrook vendosi një rekord të ri në Nba përsa i përkët lojtarit që ka arritur kuotën e më shumë pikëve në një ndeshje që ka arritur shifrat e dyfishta edhe në aspektet e tjera të lojës, duke parakaluar James Harden që në natën e ndërrimit të viteve shënoi 54 pikë ndërsa e mbylli ndeshjen me triple-double.Falë magjive të Westbrook mbi parket Oklahoma arriti të mposhte pas kohës shtesë me shifrat 114-106, Orlando Magic brenda në Florida dhe tashmë kualifikimi në play-off është më afër për City Thunder.
Vëmendja në mbrëmjen e Nba gjithsesi nuk ishte në Florida por në Texas, aty ku luanin dy rivalët për kreun e Konferencës së Perëndimit. Fitore fantastike me përmbysje ajo e Golden State Warriors që në AT&T Center u imponua me rezultatin 110-98. Falë 29 pikëve dhe 11 asist të Stephen Curry-it dhe 23 pikëve të Klay Thompson, Golden State përmbysi një disavantazh prej 22 pikësh për të marrë në fund një fitore që i blindon vendin e parë në Konferencën e Perëndimit. Kjo ishte fitorja e 9-t radhazi për Warriors që kandidohen kështu si skuadra më e fortë në garën për titull gjatë këtij sezoni./ Supersport