Luftëtari nuk i ka aspak mirë punët këtë sezon. Si të mos mjaftonte vendi i parafundit në renditje dhe loja jo e mirë, gjirokastritët dje kanë marrë një tjetër lajm të zymtë. Lojtari Donald Rapo ka fituar pjesërisht gjyqin me klubin, duke përfunduar tanimë si lojtar i lirë. Çështja mes palëve u zgjidh nga Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve pranë FSHF-së, duke i dhënë të drejtë lojtarit për një pjesë të pagave dhe të drejtën për të firmosur më çdo ekip në Shqipëri.
Më herët, edhe trajneri Julian Ahmataj fitoi gjyqin për pagat e prapambetura me Luftëtarin, me klubin që i detyrohet 10 milion lekë të vjetër ish-trajnerit. Një tjetër situatë e “zezë” pritet për bluzinjtë, që janë në “konflikt” edhe më dy lojtarë të tjetë. Realdo Fili dhe portieri grek Paiteris, kanë ngritur padi të njëjtë për zgjidhjen e kontratës dhe pagat e papaguara. Çështjet janë në gjykim pranë DHZK dhe pritet një vendim javën që vjen.