Kriza e sezonit për Skënderbeun ka përfshirë dhe tifozët bardhekuq. Pas vërshëllimës finale të gjyqtarit Laver Alla kur kampionët u mposhtën për 1-2 në shtëpi, tifozët vendas shëprthyen në kore ofenduese ndaj skuadrës dhe lojtarëve. Për të qetësuar situatën ndërhyri dhe kapiteni Marko Radas, i cili tentoi të komunikonte me tifozët korçarë. Fjalët e tij ranë në vesh të shurdhët, teksa tifozët u irrituan akoma më tepër me sjelljen e liderit të tyre. Mes palëve për pak sa nuk pati konfrontime fizike dhe Radas është larguar i nervozuar pas ndeshjes.
Krisja e marrëdhënieve skuadër-tifozeri shfaqet për herë të parë në kampin e kampionëve në fuqi të Shqipërisë. Përveç “epidemisë” së humbjeve, Skënderbeu duhet të fitojë dashurinë dhe përkrahjen e tifozëve, ku një pjesë e tyre kanë shprehur indinjatën ndaj presidentit Ardian Takaj, por dhe ndaj trajnerit Shehi, të cilit i kanë kërkuar dorëheqjen.
Përveçse dorëzohen për luftën e titullit, Skënderbeu renditet momentalisht në vendin e gjashtë, zonë që nuk e lejon të marrë pjesë as në Europa League. Bardhekuqtë e ndiejnë presionin e Tiranës dhe në renditje teksa diferenca midis tyre është reduktuar në vetëm 5 pikë. Koha nuk pret dhe skuadra duhet të gjejë besimin e humbur te vetja.
© 2024 News Sport - Dev by Aplikacione.com.