
Besir Demiri pritet të jetë firma e radhës te skuadra e Dinamos. Ish-lojtari i Kukësit pëlqehet shumë nga Bledi Shkëmbi i cili ka dhënë miratimin për ta pasur në skuadër. Burime të besueshme pranë klubit verilindor bëjnë me dije për newsport.al që bisedimet mes palëve janë në rrugë të mbarë. Parimisht është arritur një marrëveshje, mirëpo pritet hedhja e firmës mbi kontratë për t'u zyrtarizuar gjithçka.
Në sezonin e fundit ai u aktivizua në 33 ndeshje me skuadrën e Kukësit, duke qenë titullar i padiskutueshëm. Edhe pse pozicioni i tij natyral është mbrojtës i majtë, te verilindorët Demiri tregoi se mund të bëjë futbollistin "xhol" pasi u aktivizua vetëm në mesfushë. Tanimë pritet të shihet se si do të jetë aventura e re, megjithatë deri në ditën e firmës mund të ketë edhe surpriza. /Newsport.al/