
Radu Dragusi është lojtar i Tottenham, ndërsa pritet vetëm zyrtarizimi i këtij transferimi. Për ish-in e Genoas pati oferta edhe nga Napoli, Milan dhe Bayern Munich.
Rumuni zgjodhi të vazhdojë karrierën në Premier League duke u bashkuar me “Spursat”. Në lidhje me ketë transferim ka folur agjenti i lojtarit, Florin Manea. Ky i fundit ka theksuar se ende nuk e beson që kanë refuzuar kampionët gjermanë për anglezët, teksa bavarezët ofruan më shumë para.
“Nuk mund ta besoj se e refuzova Bayern Munich. Ne e bëmë zgjedhjen sot në orën 08:00. Është e vështirë të bësh një zgjedhje të tillë. Bayern e donte shumë dhe mbrëmë erdhi oferta zyrtare. Kishte më shumë para nga Bayerni, por Dragusi tha se ky është hapi i duhur në karrierën e tij. Qëndruam zgjuar gjithë natën duke menduar. Nuk kam fjetur fare. Qëndruam për të parë se cilat janë avantazhet dhe disavantazhet. Si Napoli ashtu edhe Milani e donin atë, por ai ëndërronte të luante në Premier League që kur ishte i ri”, ka theksuar agjenti.