
Vllaznia-Teuta është supersfida e ditës së nesërme në Kategorinë Superiore. Kryesuesit udhëtojnë drejt Shkodrës në një përballje direkt për titullin kampion. Ditën e sotme në konferencën për shtyp në vend të trajnerit Martini, foli zëvendësi i tij, Bledar Hodo. Në fjalën e tij, Hodo u shpreh se Teuta del me 3 pikë nga sfida ndaj Vllaznisë.
VLLAZNIA RIVAL PËR TITULL - "Normalisht e dimë rëndësinë e ndeshjes. Është një duel si gjithë të tjerët e këtij kampionati, plot surpriza. Çunat duken në formë optimale, grupi është i plotë. Mungon vetëm Daja i pezulluar me karton, pjesa tjetër është gati për lojë. Kështu që jemi të gatshëm, e dimë shkallën e vështirësisë. Kemi besim tek ekipi ynë dhe shpresoj t'ia dalim me sukses".
GABIMET ME RIVALË TË LEHTË NË LETËR - "Të gjitha skuadrat kanë gabuar, pasi kampionati është shumë i fortë. Mendoj se i kemi përfunduar të gjitha gabimet këtë sezon dhe është momenti i finishit, që duhet ta mbyllim me sukses. Nuk kemi presion, jemi të qetë. E thashë që në fillim që e dimë rëndësinë e ndeshjes. Nesër shpresojmë të bëjmë më të mirën në fushën e lojës".
MUNGESA E GOLAVE - "Mendoj se e gjithë skuadra në fazën sulmuese po paraqitet mirë. Është punuar për këtë gjë stërvitjes. Shpresojmë që edhe nesër të konkretizojmë me sukses. Të gjitha skuadrat kanë patur probleme. Ekipet luajnë ngjeshur, diferencat janë të vogla. Dihet që kampionati ynë është më shumë fizik se teknik. Mendoj se kemi pasur ekuilibër. Edhe në ndeshjet me Tiranën gabuam në goditjet standarde, nuk është se na kapën në kundërsulm".