
Grent Halili është një nga lojtarët më në formë të Tiranës deri më tani. 3 gola në 4 ndeshje kanë bërë që skuadra të marrë rezultate pozitive dhe të jetë mjaft deçiziv. Në një intervistë të gjatë për "RTSH Sport", Grent Halili ka folur për gjithçka, që nga rënia nga Kategoria, raporti me presidentin Halili, merkato, objektivi si dhe në fund nëse një ditë do të drejtojë Tiranën si i ati.
Rënia nga kategoria? Lotët e asaj dite. Të them të drejtën atë ditë shkruajtëm një histori të errët për Tiranën. Por këtë vit shpresojmë ta kalojmë. Ka qenë një vit jo i thjeshtë, kemi pasur sulme të jashtme. Por të mos i kthehemi të shkuarës. Është e vështirë kur babai, sheh çunin duke qarë, por edhe çuni të shohë babain të kalojë gjithë atë stres dhe në fund të kalojë në një dështim.
Fakti që është djali i presidentit? Të jem i hapur, sigurisht që ndikon dhe do ndikojë gjatë në karrierën time. Ka ndikuar në minutat e mia. Lojtari të ecë para kërkon minuta. Edhe pse në moshë të vogël, para disa vitesh kam pasur mundësi të kisha më shumë minuta por ka ndikuar historia. Kam qenë 18-vjeç dhe deri në 20-vjeç nuk kam marrë minutat e duhura, besoj të ishte dikush tjetër do e kishte lënë sportin. Por dashuria që kam për këtë klub dhe pasioni për futbollin nuk më ka lënë. Do jetë e vështirë, por vazhdoj.
Një top i humbur, apo një rast i humbur dhe çohet stadiumi në këmbë, një gjë e tillë nuk ndodh me lojtarët e tjerë. Por kritikët më shtyjnë të jap më të mirën në fushë dhe shokët kanë qenë një ndihmë e madhe. Asnjëherë nuk më kanë parë në atë mënyrë, edhe unë sillem si të tjerët jo si djali i presidentit. Në vite ka pasur lojtarë si Karabeci, Muça që më kanë mbështetur por Osmani më ka ndihmuar më shumë nga të gjithë në fushën e lojës. Kemi pasur më shumë kohë për të ndenjur me njëri tjetrin. Dua ta falënderoj pasi ka qenë një përkrahje e madhe.
Marrëdhënia me presidentin? Kemi marrëdhënie president-lojtar, edhe pse kam qenë i vogël, kemi biseduar shumë, tani jam më i rritur. Të them që më pëlqen më shumë marrëdhënia president-lojtar. Edhe motra ka filluar të angazhohet dhe është e pashmangshme biseda për futbollin në shtëpi dhe merr një pjesë të madhe të kohës sonë.
Merkato dhe konkurenca? Është bërë merkato më e mirë për aq kohë sa kam në klub. Kjo ka rritur konkurrencën. Reparti im është i tejmbushur. Nuk është e lehtë të fitojmë konkurrencën. Kale, Kobina Torasa, Ngo kanë më shumë eksperiencë. Por me punë fat dhe përqendrim besoj se mund të konkurroj. Grupi është arsyeja pse kemi ecur, jemi si një familje. Nuk ka një lojtar specifik me të cilin dëshiroj të luaj. Ndjehem mirë me këdo, nuk ka rëndësi se cili është. Do dëshiroja Ngonë në majë të sulmit.
Vazhdimësia e formës deri në fund të kampionatit? Është e vështirë të ruaj këtë formë deri në fund të kampionatit. Nuk e kisha menduar për këto performanca. Objektiv nuk është të dal golashënues i kampionatit as i ekipit, por dua të arrij objektivat e mia dhe të ekipit, të shënoj aq gola sa ia kam vendosur vetës si objektiv. Duhet të mendojmë për klubin. Të jemi si familje. I dërgoj mesazh shokëve të skuadrës që të mendojmë për skuadrën dhe nuk ka rëndësi kush shënon apo kush del golashënues
Goli në derbi? Të shënosh në derbi është ndjenjë e papërshkrueshme. Goli i javës së kaluar ndaj Skënderbeut është më i bukuri si nga emocionet por edhe realizimi.
Pasuesi i babait në postin e presidentit? Sapo kam mbaruar universitetin dhe jam hedhur në mastër, është ende herët pasi duhet një shkollim i mirë. Me kalimin e kohës, duke u angazhuar me babin do jem i denjë ta zëvendësoj. Do ta bëj më mirë këtë punë sepse kur je futbollist e di më mirë se si funksionin. Ky sport ka shumë klane dhe duhet ta kesh provuar si lojtar për të qenë i mirë në drejtim. Dhe unë do ta bëj këtë punë akoma më mirë si presidenti Halili. Zoti Halili le ta marrë si të dojë. Besoj që eksperienca si lojtar do më ndihmojë dhe do jem akoma më i mirë se ai.