Ditën e djeshme u mbyll edhe java e 33-të e Abissnet Superiore, ku u siguruan 4 fitore dhe një barazim në derbin e kryeqytetit. Fitoret e skuadrave për mbijetesë kanë bërë lëmsh gjithë Superioren, ndër kthen në “enigmë” edhe Europën.
Kukësi mposhti 3-0 në “Kukës Arena” skuadrën e Laçit. Tashmë diferenca mes tyre është 4 pikë. Verilindorët ngjiten në vendin e 7-të në klasifikim, ndërsa krubinasit zbresin në vendin e 5-të, pasi Vllaznia u merr vendin e 4-të. Pikërisht shkodranët fituan 1-0 ndaj Teutës në “Loro Boriçi”. Kuqeblutë janë tashmë 3 pikë më pak se Egnatia e vendit të 3-të, vend që të çon direkt në Europë sezonin e ardhshëm.
Rrogozhinasit nga ana tjetër u mposhtën 1-0 nga skuadra e Kastriotit. Kjo e fundit shkon në kuotën e 35 pikëve në vendin e fundit, por zona “play-out” është vetëm 4 pikë larg dhe mbahet nga Erzeni. Pikërisht shijakasit u mposhtën në duelin e mbijetsës nga Bylisi. Ballshiotët fituan 2-1 dhe grumbullojnë 36 pikë.
Ndërkohë sa i takon titullit, derbi i kryeqytetit nuk nxori një fitues, me Tiranë dhe Partizanin që ndalen në barazim 1-1. Renditja nuk ndryshon, teksa tashmë bardheblutë kanë në dorë fatet e titullit kampion, por nga ana tjetër demat kërkojnë “ndere” nga ekipet e tjera.
Jemi vetëm 3 javë përpara fundit të kampionatit dhe akomë nuk kemi mësuar se kush skuadër zbret zyrtarisht në Kategorinë e Parë, ka siguruar Europën, apo titullin. Kjo tregon se Abissnet Superiore do të jetë një “luftë” e vërtetë deri në minutat e fundit të këtij sezonit.
[caption id="attachment_693046" align="alignnone" width="502"] Rezultatet e javes se 33-te[/caption]
[caption id="attachment_693047" align="alignnone" width="503"] Renditja pas javes se 33-te[/caption]