
Arbi Laçi ishte i ftuar mbrëmë në emisionin "Sport Neës Plus", ku foli për gjithçka është aluduar në këtë merkato dimri. Drejtori sportiv i Tiranës ishte i qartë në deklaratën e tij, teksa theksoi se ekipi bardheblu ka "rigjetur" Michael Ngoo. Për anglezin ai u shpreh se në asnjë moment nuk ishte dyshuar në potencialin e tij, por problemet me karakterin në fazën e dytë e penalizuan.
"Michael Ngoo është lojtar i Tiranës. Nuk kam dyshuar asnjëherë në aftësitë e tij. Gjithmonë më ka pëlqyer grinta dhe këmbëngulja që tregon në fushë. Por, problemet në fazën e dytë e penalizuan disi. Patëm një ofertë konkrete për Ngoo nga Rusia por Anglezi nuk pranoi", tha fillimisht ai.
Më pas, i pyetur rreth lojtarit të Partizanit, Emanuel Mensah-së, Laçi zbuloi se e vërteta ishte komplet ndryshe nga ajo që pretendonte klubi i kuq. Sipas tij, kishte qenë menaxheri i futbollistit, ai që i kishte ofruar Mensah-në dhe në asnjë moment klubi bardheblu nuk kishte tentuar të hynte në bisedime në kohën kur afrikani është në kontratë me Partizanin.
" Në asnjë moment nuk kemi tentuar të marrim në skuadër Emanuel Mensah. Ndryshe nga sa është përfolur, mund t'iu tregoj që ka qenë vetë menaxheri i lojtarit që na është ofruar për ta sjellë në ekipin tonë. Unë i kam thënë që fillimisht duhet mbyllur kontrata me Partizanin dhe më pas jemi të gatshëm të ulemi për të biseduar", shtoi drejtori i bardhebluve.
Në fund tregoi edhe objektivin e skuadrës: "Do të luajmë për të kapur një vend në Kupat e Europës. Ky është objektivi ynë. Ekipi është, lojtarët janë dhe do të bëjmë maksimumin. Nëse nuk arrihet, në fund do të ulemi të bëjmë analizën vjetore. Por, unë kam besim te ky grup", ka përfunduar Arbi Laçi, drejtori sportiv i 24-herë kampionëve të Shqipërisë.