
Eksperienca në sezonin e fundit te Vittese e rriti shumë sportivisht dhe tashmë, Armando Broja po kërkon minuta te skuadra që zotëron kartonin e tij të paktën deri në 2026, Chelsea.
Sulmuesi shqiptar ka folur rreth kësaj aventure që e pret te "blutë londinez", por edhe objektivat e tij në aspektin individual. Broja realizoi në miqësoren ndaj Peterborough, duke fituar simpatinë e stafit të Tuchel.
"Unë kam qënë te Chelsea që kur isha një djalë shumë i ri. Është klubi im i ëndrrave. Unë e mbështes shumë Chelsea. Kam pasur një lidhje të ngushtë me klubin që kur isha një fëmijë i vogël.
"E kam ndjekur në të gjithë ndeshjet, kështu që ishte bukur të firmosja një kontratë me ta. Është koha të fokusohem totalisht në fushë dhe të jap maksimumin për vete dhe shokët e ekipit," tha mes të tjerash Broja për faqen në internet të klubit londinez.
Natyrisht në "Stamford Bridge" Broja do ta ketë të vështirë për të zënë një vend titullari nën urdhërat e trajnerit Thomas Tuchel, gjithsesi 19-vjeçari beson se një ditë do e nis si titullarë për Chelsea. Këtë shpresojmë edhe ne.