
Shqipëria luajti mbrëmë në transfertë kundër Lituanisë, ndeshje që përfundoi me rezultatin 0-0 e vlefshme për Grupin C të Ligës së Kombeve. Edhe pse nuk arritëm të merrnim një fitore që duhet thënë se ishte e merituar, kuqezinjtë arritën të ishin dominues përgjatë 90 minutave. Raste të humbura dhe dy penallti të mohuara ishin tabloja e sfidës së djeshme ku vlen të veçohet Amir Abrashi.
Mesfushori shtatshkurtër i përfaqësueses sonë nuk la pjesë fushe pa shkelur duke qenë i kudondodhur. Pikërisht 30-vjeçari është vlerësuar si lojtari më i mirë në radhët e tanëve me notën 8.1. Sipas "Sofascore" që vlerëson futbollistët pas ndeshjes, "Maratonomaku" i kombëtares shqiptare arriti të bënte 5 ndërhyrje të saktë, pasoi saktë 3 herë si dhe ia doli të driblonte 3 herë kundërshtarin. Padyshim më i miri i formacionit të Edy Rejës.