
Myrto Uzuni është rikthyer në stërvitje me Ferencvaros. Sulmuesi u la jashtë grumbullimit të Kombëtares për shkak të një dëmtimi që pësoi në fund të sezonit, ndërsa tani është pranë rikuperimit. Uzuni u zgjodh pak ditë më parë si lojtari më i mirë sezonit dhe në një intervistë për faqen e klubit, sulmuesi kuqezi ka folur për rikthimin në skuadër, takimin me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe Kryeministrin Rama në Hungari. Gjithashtu Uzuni falenderoj tifozët që e zgjodhën si lojtarin më të mirë te sezonit.
"Për fat të keq pata një dëmtim të vogël para fundit të sezonit. Pësova një frakturë të vogël në dy gishtat e mi dhe vetëm pas gjashtë javësh isha në gjendje të bëja një stërvitje të plotë. Më duhet ende pak kohë ta marr veten, por do e kap maksimumin sërish. Për shkak të dëmtimit nuk isha në gjendje të isha as në miqësoret e Shqipërisë. Edhe gjatë pushimeve vetëm te futbolli e kisha mendjen. U përpoqa të bindja veten që kishim mbyllur një sezon të gjatë dhe të suksesshëm, plus që ishin në gjendje të luanim në Champions League gjatë vjeshtës. Jam i lumtur që jam këtu dhe që mund të stërvitemi sërish. Jam kthyer në klub me të njëjtat qëllime si vjet, kur erdha për herë të parë. Dua të fitojmë sërish titullin kampion".
Takimi me Kryeministrin Rama dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Veliaj? "Ishte nder i madh për mua të takoja personalitete kaq të larta, pasi askush nuk mund të takojë çdo ditë udhëheqës të nivelit të lartë politik. Isha shumë i lumtur që m'u dha mundësia dhe i detyrohem për gjithçka futbollit. Ata më përgëzuan për arritjet e mia me Ferencvaros dhe i mirëpritën fanellat që u bëra dhuratë".
A e ndjekin kampionatin hungarez në Shqipëri? "Që kur luaj në Hungari, shumë nga bashkatdhetarët e mi kanë filluar të ndjekin kampionatin hungarez. Gjithnjë e më shumë njerëz janë të interesuar për ligën këtu dhe pyesin kush është skuadra më mirë. Ata janë të lumtur me suksesin tim".
Je shpallur lojtari i sezonit nga tifozë? "Ju detyrohem të gjithëve me një falënderim të madh. Mbështetja e tyre është shumë e rëndësishme. Për mua ata janë motivimi kryesor. Nëse ata janë të kënaqur me mua, kjo do të thotë që po e bëj mirë punën time. Kjo sigurisht më jep motivim për sezonin e ardhshëm. Jam shumë i lumtur dhe sërish u them faleminderit".
Cilën skuadër do të mbështesni në EURO 2020? "Shqipëria nuk u kualifikua, Hungaria e bëri. Kjo është arsyeja që jam po aq i lumtur. Meqë Shqipëria nuk është në Europian, unë do të mbështes Hungarinë, pasi aktualisht jetoj këtu, jeta ime e përditshme është këtu dhe mund të them se është shtëpia ime e dytë. Veç kësaj shumë nga lojtarët tanë janë në ekipin hungarez. Shpresoj të paraqiten mirë dhe do t'i mbështes ata, pasi jemi një familje".
Shanset e Hungarisë në EURO 2020? "Gjithçka mund të ndodhë në futboll. Hungaria është në grupin më të vështirë të mundshëm (Gjermani, Portugali dhe Francë). Më të mirët në botë janë kundërshtarët e tyre, por mendoj se Hungaria mund ta kompensojë cilësinë e individualiteteve me mentalitetin që ka".