
Marash Kumbulla ka bërë hapin e madh në karrierë duke u transferuar te skuadra e Romës. Qendërmbrojtësi është vetëm 20-vjeç dhe gjasat janë që të shndërrohet në pikë kyçe në prapavijën kryeqytetase.
Ai kaloi nga Verona te Roma për shifrën e 30 milionë eurove. Shtatlarti shkodran ka marrë mesazhe të shumta falënderimi, por më emocionues është ajo që shkruhet në faqen zyrtare të Veronës.
"Nga fëmijë, në burrë. Nga një lojtar me pritshmëri, në kampion. Fat të mbarë Marash! Do të jesh gjithmonë pjesë e familjes sonë", shkruhej në kanalin zyrtar të klubit italian.
Ai u prezantua te Roma, ndërsa emocionet ishin prezente. Në fjalët e para si lojtar i kryeqytetasve, 20-vjeçari tha: "Kam një emocion të madh. Jam takuar me shokët e ekipit dhe më kanë mirëpritur. Të gjithë e kanë bërë këtë, që nga tifozët deri te klubi. Menjëherë po përshtatem në mënyrën e duhur dhe shpresoj të shkojë mire gjithçka. Çfarë më bindi që të vija këtu? Klubi, trajneri, stafi, vlerat e ekipit dhe ngrohtësia e tifozëve. Të gjitha këto më bënë që të vija te Roma.
Fola me trajnerin Paulo Fonseca, që kishte vlerësim shumë të mirë për mua. Menjëherë më shpjegoi sesi duhet të luaja dhe do të mësojë më mire. Kombëtarja e Shqipërisë më ka ftuar sërish, shpresoj që të vazhdoj kështu dhe të realizoj objektiva të rëndësishme edhe atje. Falënderoj tifozët e Romës për mikpritjen që më ofruan. Do të bëj më të mirën për të fituar dhe gëzuar me ta", ka thënë ai.