
Fillimet e tij kanë qenë të vështira dhe askush nuk e kishte menduar se një ditë ai do të ishte hero i Kosovës. Pasioni për futbollin e shtyu, i dha kurajo të mposhte çdo gjë. Vështirësitë e pas luftës e përballen me një realitet ku mund të shihte vetëm fusha, në të cilën një fije bari përbënte luks për të. Megjithatë s'u dorëzua në asnjë moment. E kush tjetër veçse Amir Rrahmanit? Qendërmbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës po ngjit shkallët një nga një në karrierën e tij. Hapat e para si futbollist i hodhi te skuadra e Drenicës.
Talenti në prapavijë e veçoi nga të tjerët duke bërë që të binte në sy në kampionatin shqiptar. Partizani vrapoi ta rrëmbente në gjirin e tij. Sezoni 2013-2014 ishte mjaft i vështirë për të kuqtë të cilët sapo ishin rikthyer në elitë. Amir Rrahmani fitoi menjëherë besimin e trajnerit Hasan Lika. Në formacion ishte titullar dhe tek të kuqtë u shndërrua dalëngadalë në njeriun e dashur për tifozët. Pikërisht ekipi kryeqytetas do të shërbente si trampolinë për 25-vjeçarin teksa pas 2-vitesh transferohet në Kroaci te Spliti.
Asokohe ishte pjesë e kuqezinjve, por mos përfshirja në listat e De Biasit bëri që t'i jepte duart Shqipërisë për të luajtur me Kosovën. Kjo merkato vere ishte shumë e nxehtë për të sepse ëndrrat ka nisur t'i bëjë realitet. E kishte thënë prej kohësh që preferonte një ditë të luante në Seria A. E kjo ditë erdhi. Ai është pjesë e Veronës dhe titullar në përfaqësuesen e Kosovës. Mbrëmë ishte protagonist duke shënuar golin e parë ndaj Malit të Zi. Është vetëm 25-vjeç dhe tregon se ka ende shumë potencial për të shfaqur në fushë. Majat dalëngadalë po arrihen, megjithatë ai kurrë s'do të harrojë baltën dhe llucin, të cilët e motivuan më shumë për t'u bërë ky që është sot. /Newsport.al/