
Olsi Rama ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp të Partizanit në prag të ndeshjes kundër Tiranës. Drejtori i përgjithshëm i kampionëve ka sqaruar çështjen "Mala", ka prekur pak temën e gabimeve të arbitrave, si dhe ka treguar politikat e klubit.
Në fund është pyetur për nipin e tij Greg Rama që ka pozuar me lojtarët e Tiranës. Edhe për djalin e kryeministrit Edi Rama, drejtori i përgjithshëm i Partizanit ka një përgjigje.
"Situata e Malës është një situatë e krijuar si pasojë e një politike të klubit për të investuar te futbollistët e rinj në mënyrë që të bëjë një politikë për rritjen cilësore sportive, por edhe për atë ekonomike. Qëlloi që ishte Mala lojtari i parë që klubi vendosi diçka të tillë. Sigurisht që mund të ishte kushdo tjetër. Ne me Malën kemi punuar që vjet për kontratën e radhës, edhe vjet bëmë hapa të konsideruar përpara. E shohim si investim të klubit, me idenë që do t'i krijonim mundësinë të luante edhe në stadiume më të mira se "Air Albania". Ne me Malën kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm. Së fundmi kemi arritur akordin që Mala do të jetë, sa i përket rajonit dhe Shqipërisë, vetëm lojtar i Partizanit. Kështu që ka një kontratë dhe do t'i krijojmë mundësinë që të luajë jashtë. Në momentin që do t'i vijë oferta që do të jenë favorizuese për të ardhmen e tij si futbollist. Duke pasur parasysh këtë zhvillim, vlerat që ka, jo vetëm si lojtar, por edhe si person, edhe vlerat që mund të shtojë në vazhdim, vendosëm që ta riintegrojmë në skuadrën e parë që t'i jepet mundësia të kontribuojë për ekipin, pastaj edhe për të ardhmen e vet. Bashkëpunimi është për të ardhmen. Ai e kishte kontratën deri në fund të sezonit. Tani mbetet vetëm formalizimi që të bëhet zyrtarisht pjesë e Partizanit deri në gjetjen e një ekipi elitar në Europë. Nëse i vjen një ofertë nga një kampionat prestigjoz, do i krijojmë mundësinë që ai të shkojë të luajë aty. Të njëjtën gjë kemi edhe me lojtarët më me eksperiencë. Po flasim për Trashin. Edhe atij i kemi thënë shpesh që i ka dyert e hapura nëse vjen një ofertë nga një kampionat prestigjoz, ashtu edhe për Malën, Çinarin, Bardhin e gjithë ata e dinë shumë mirë që s'do kenë pengesë nga Partizani. Klubi ka politikat e veta që shkojnë përtej faktorit sportiv, shkojnë në planin e zhvillimit dhe planit ekonomik. Mos të harrojmë që presidenti Demi bënë një investim të madh për kompleksin. Është një investim që duhet të kthehet. Dhe mënyra më e mirë është përmes talentëve që do të sjellin të ardhura në klubin e Partizanit. Me qëndrimin tonë donim t'i jepnim një shembull për t'u bërë të qartë të gjithëve me të vërtetë duam të krijojmë Partizanin klubin më të mirë në Shqipëri. Të gjithë marrin meritat që i takojnë. Por, të kuptojnë që kur klubi investon, pretendon një të ardhme nga kjo. Jo të gjitha, siç e dini dhe ju më mirë se unë. Jo të gjitha investimet dalin fitimprurëse. Ka nga ata që edhe humbet, apo për arsye të ndryshme ambientimi apo për lojën, apo zgjedhjen taktike nuk japin atë që duhet. Klubi nuk ankohet, merr përsipër gjitha pasojat e kësaj gjëje.
Të fituar apo të humbur? Në këtë situatë me Malën shpresojmë që të fitojmë të gjithë.
A ka nevojë ekipi për shkundje për këtë derbi? Është e vërtetë që me sa mbaj mend unë vetëm në fillimet e hershme të epokës Demi, ka qenë që Partizani shkonte në derbi me Tiranën në pozita të disfavorshme në klasifikim. Mbaj mend një derbi, kur Partizani ishte në kategorinë e Parë dhe u habita që kishte aq shumë tifozë. Sigurisht që Tirana nuk pati shans të fitonte. Vijmë në derbi pas një humbje me Tiranën dhe një barazimi zhgënjyes me Bylisin. Besoj se ekipi tashmë e ka kuptuar rrugën që duhet të ndjekë me trajnerin e ri. Ndeshja derbi ka një specifikë të veçantë sepse s'ka nevojë t'u bësh moral. Të gjithë vetë motivohen sepse është ndeshja kartolinë er kampionatit. Pres që stadiumi të jetë plot. Nuk ka rëndësi nëse do të ketë më shumë tifozë të Partizanit apo Tiranës. Një stadium plot është korniza më e bukur në një ndeshje. Të gjithë lojtarët janë të impenjuar. Do të na mungojë Trashi, por megjithatë kemi Hakajn që unë kam besim se do e zëvendësojë në mënyrë dinjitoze. E theksoj, mbase në psikologjinë e lojtarëve ndikojnë shumë gjëra, por mbase ndikon që duan t'i afrohen kreut. Tirana është në një periudhë të mirë, fluturon në krahët e entuziazmit. Por, duhet të dijë që duhet të përballojë një Partizan tejet të motivuar.
Apel për gjykimin? Unë nuk para ankohem për arbitrat. Ose le të themi se ankohem për arbitrat ashtu si u ankohem lojtarëve të mi kur humbin rastet para porte, apo gabimet në mbrojtje. Unë e theksoj që ndeshjen, pavarësisht dy episodeve të pafata, ne e kishim në dorë ta fitonim. E kishim në dorë, 2-0, aq sa ankohem për ekipin, aq mund të ankohem edhe për gjyqtarët. Deri në momentin kur gjykimi është brenda kornizave të ndershmërisë sportive, këto janë biseda që bëhen për të shtyrë sa më shumë organet kompetente të Federatës për të rritur cilësinë. Nuk besoj se i bën keq arbitrave t'i vësh në dukje gabimet. Përkundrazi i ndihmon. Keni parë që ky kampionat ka qenë i karakterizuar me shumë gabime arbitrare. E përsëris që deri në momentin kur janë pjesë e lojës, brenda kornizës së lojës janë mëse të pranueshme. Kur cënimi i garës sportive ka prapaskena, atëherë është e vërtetë që ngrihet zëri edhe më tepër. Deri tani s'e gjykoj të tillë. Partizani është një emër i madh, është ekipi kampion. Edhe në kuadrin e ankesave janë edhe një herë në kuader të shtytjes për të rritur cilësinë në gjykim, nuk janë ankesa që bëhen për t'u ankuar në rolin e një humbësi sepse s'e kemi zakon ta bëjmë këtë gjë.
Nipi im tifoz me Tiranën? Nuk e di ta ketë shprehur në rrjetet sociale. E para punës Gregu është sportdashës. Ka luajtur basketboll me Tiranën. Ka një të kaluar me Tiranën. Ka një simpati me Tiranën. Nëse unë do të qëlloj në klub me lojtarët e Tiranës, të gjithë e dijnë që unë shkoj dhe i jap dorën dhe i uroj suksese. Është mëse brenda gjitha normave të shoqërisë. Gregu do ta shohë ndeshjen nesër, mund të jetë ulur dhe afër meje. Po të dojë le të bëjë tifozllëk për Tiranën", ka përfunduar ai. /Newsport.al/