Për Kukësin gjërat nuk shkuan si duhet në ndeshjen e parë me Rudarin dhe barazimi 1-1 në fushën e vet i penalizon disi, por nuk ua pret shpresat për kualifikim. Madje, presidentri Safet Gjici e kërkon me ngulm këtë gjë dhe ka vendosur t’i karikojë të tijtë me një shpërblim të majmë. Ndërkohë, për sa i përket formacionit, duket se do të ketë ndryshime. Pas ndeshjes në Elbasan u shigjetua shumë sulmi, madje direkt nga presidenti Gjici. Kroati Dvornekoviç, me shumë gjasa, do ta nisë nga stoli dhe titullarë do të jenë Rangel, autori i golit në ndeshjen e parë, dhe Emini. Po ashtu, edhe Muça mund ta nisë nga stoli këtë ndeshje.
UDHËTIMI - Kukësi do të niset sot me autobus drejt Malit të Zi, pasi distanca nuk është e largët. Pas mbërrijtjes në qytetin e Nikshiqit, veriorët do të zhvillojnë një seancë stërvitore në stadiumin, ku do të luhet ndeshja e nesërme. Stafi teknik do të japë udhëzimet e fundit.
TIFOZËT – Kukësin pritet ta përkrahin nesër në stadiumin e Nikshiqit të paktën 200 tifozë, të cilët janë bërë gati tashmë për udhëtimin. At janë organizuar dhe duan që nesër të lënë shenjën e tyre në shkallët e stadiumit, në përkrahje të skuadrës së zemrës për kualifikimin e mundshëm.